Secondary Adv

DPT sqaron: Bizneset qe perdorin zgjidhje softuerike te cregjistrojne kasat

Tatimpaguesit që kanë zgjedhur të lëshojnë fatura me para në dorë nga një zgjidhje softuerike e certifikuar, duhet të çregjistrojnë pajisjet fiskale në përdorim.

 

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e ka bërë këtë sqarim në vijim të interesimit të vazhdueshëm të subjekteve tatimpagues që kanë implementuar dhe po përdorin një zgjidhje softuerike të certifikuar para fillimit të efekteve të ligjit nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” i ndryshuar dhe nuk po përdorin më pajisjet fiskale të instaluara. Tatimet sqarojnë se subjekti tatimpagues njofton organin tatimor zyrtarisht në rrugë shkresore apo elektronike se ka implementuar një zgjidhje softuerike te certifikuar dhe kërkon të kryejë çregjistrimin e pajisjeve fiskale që nuk i përdor më.

 

Kërkesa shoqërohet me të gjithë të dhënat identifikuese të zgjidhjes softuerike në përdorim. Pas miratimit të kërkesës nga ana e Administratës Tatimore, shoqëria e autorizuar kryen çregjistrimin e pajisjes fiskale dhe ruan memorien fiskale të saj. Çregjistrimi i pajisjeve fiskale që nuk përdoren nga ana e çdo subjekti tatimpagues është një detyrim ligjor i tyre. Nga 1 janari ka filluar procesi i fiskalizimit për transaksionet e bizneseve dhe enteve publike, ndërsa nga 1 shtatori ky proces fillon për të gjithë tatimpaguesit.

 

Drejtoria e Tatimeve i ka nxitur bizneset që të mos presin 1 shtatorin, por të fillojnë të familjarizohen me këtë proces. Administrata Tatimore, këtë periudhë, nga 1 janari deri më 1 shtator, e ka quajtur si fazë tranzicioni, pra testim ku të gjithë tatimpaguesit, edhe pse nuk e kanë ende detyrim ligjor fiskalizimin, të kenë mundësi ta nisin sa më parë këtë proces në mënyrë që të familjarizohen sa më shumë. Tatimpaguesit me qëllim familjarizimin, kanë mundësi të përdorin platformën e ngritur vetëm për fiskalizimin, Self-Care, i cili është aplikacion web me dy versione, test edhe live./Burimi: Monitor


Më të lexuarat